Komanda Mbështetëse e Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me Forcën Detare dhe atë Tokësore kanë pastruar ditën e djeshme ishullin e Sazanit nga të gjitha municionet luftarake, të depozituara ndër vite.
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje lidhur me operacionin e zhvilluar nga forcat xheniere, duke bërë me dije se asgjesimi i tyre është bërë konform protokollit të sigurisë. Gjithashtu Ministria ka bërë me dije se janë “zhdukur” municione të llojit predha artilerie, të kalibrave: 120 mm; 130 mm dhe 77 mm.
Operacioni, i kryer në masa të rrepta sigurie bëri të mundur pastrimin nga municionet që ishin grumbulluar prej vitesh në ishullin e Sazanit, i cili vitet e fundit frekuentohet nga turistë vendas e të huaj gjatë periudhës maj – shtator. Nga pamjet e publikuara duken qartë forcat xheniere kanë mbledhur municionet dhe i kanë asgjesuar brenda një tuneli.

Mbyllja e ishullit do të zgjasë deri në fundjavën tjetër, dhe më pas ai do të hapet për turistët, deri në pastrimin e plotë të zonës, e cila për vite me radhë ka shërbyer si bazë ushtarake.



