Një incident i ka ndodhur sot presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, e cila ndodhej për kalim tranzit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal të saj.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, e ka cilësuar këtë veprim si një shkelje të praktikave ndërkombëtare.
Kupina ka thënë për mediat në Kosovë se veprimet e zyrtarit të sigurimit dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.
Ai shtoi se presidentja nuk e lejoi një gjë të tillë, pasi do të kishte qenë një shkelje e rëndë e protokollit.
“Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.
Sipas tij, përkundër rregullave, pala maqedonase mori çantën personale të presidentes, ndonëse ekipi i saj lejoj për të kaluar në sallën VIP, e cila ishte rezervuar nga Ambasada e Kosovës.
“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes.
Kupina gjithashtu tregoi se kishte një tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe se presidentja e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, mbi këtë skandal diplomatik.
Pas incidentit, Aeroporti i Shkupit nuk lejuan aeroplanin komercial të niset për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejonte nisjen.
“Kabineti i presidentes e kontaktoi palën sllovene, e cila e mohoi këtë informacion,” tha Kupina, duke shtuar se presidenca e konsideron çdo trajtim të tillë si një sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës.
Ndërkohë edhe mediat në Maqedoni të Veriut kanë raportuar se ka ndodhur “një skandal në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit”, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur konfrontim me sigurimin e aeroportit.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka konfirmuar incidentin në aeroportin e Shkupit dhe konfrontimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me sigurimin, pasi kësaj të fundit iu kërkua të hapë valixhet e saj dhe të tregojë se çfarë kishte në to, por ka refuzuar.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut. Siç thuhet në njoftim, më pas ka shkuar një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi, ku sipas MPB të Maqedonisë kanë kërcënuar punëtoret e TAV-së. “Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare. Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB të Maqedonisë.



