Janë regjistruar sërish përplasje të dhunshme në Rrjoll mes banorëve dhe Policisë, ndërsa protestës së kësaj të shtune iu bashkuan edhe qytetarë nga qytete të tjera, në shenjë mbështetjeje.
Banorët protestojnë kundër grabitjes së pronave, duke pretenduar se resorti “Blu Borgo” po ndërtohet nga kompania “Gener 2” në tokat e tyre, të cilat, sipas tyre, u janë marrë përmes falsifikimit të dokumenteve.
Protestuesit tentuan të futeshin brenda kantierit në disa mënyra, duke kaluar edhe murin rrethues, por u përballën me forca të shumta të Policisë. Kjo shkaktoi tensione, ndërsa një numër i konsiderueshëm banorësh u shoqërua në komisariat.
Ata denoncuan përdorimin e dhunës nga ana e Policisë dhe i bënë thirrje drejtësisë që të kryejë hetime dhe të japë zgjidhje për problematikën e pronësisë, me qëllim që situata të mos arrijë deri në ndërmarrjen e veprimeve ekstreme nga ana e tyre.
Banorët e Rrjollit protestojnë prej më shumë se gjashtë javësh dhe paralajmërojnë se rezistenca do të vazhdojë deri në arritjen e një dakordësie mes palëve përkatëse.



