Ndërhyrja në serverin e kamerave të sigurisë, ka rikthyer në burg shtetasit Voltan Shkullaku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, si të implikuar në vrasjen e Egli Progës në Pogradec. ata u lanë më herët në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, masë e ndryshuar këtë të shtunë nga Gjykata e Korçës, në “Arrest me burg”.
Tre shtetasit e lartëpërmendur, janë marrë në cilësinë e dëshmitarëve kyç të ngjarjes së ndodhur më 10 gusht të këtij viti. Prokuroria është në proces të ekspertimit të pamjeve edhe të një marketi që ndodhet përballë lokalit ku u vra 42-vjeçari.
Të tre të arrestuarit nga policia, në zbatim të urdhrit të ekzekutimit dhënë nga Prokuroria e Korçës, akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Si autor të vrasjes policia arrestoi Denis Meçen, me akuzën e vrasjes me dashje.
Por Prokuroria e Korçës, Vasjana Postol në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për të nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia. Ky veprim solli edhe një përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës.
Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, Egli Proga ka shkuar tek lokali në pronësi të shtetasit Voltan Shkullaku ku ka ndodhur ngjarja, për të pirë alkool. Jashtë lokalit ka qenë autori Denis Meçe me dy të tjerë duke konsumuar gjithashtu pije alkoolike, ndërsa brenda lokalit ka qenë dhe një shtetas tjetër.
42-vjeçari fillimisht është ulur brenda në lokal duke pirë me të dhe në këtë moment ka nisur debati me tre personat që kanë qenë jashtë.
Pas kësaj, autori i ka kërkuar Egli Progës të dalë jashtë e të sqarohen ndërsa e ka shtyrë dhe goditur viktimën. Si pasojë, 42-vjeçari është rrëzuar e nga goditja e marrë në kokë, humbi jetën.



