
Një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia greke, nën akuzën se ka përdhunuar një vajzë 22-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në Larisa të Greqisë, ndërsa identiteti i shtetasit shqiptar nuk është bërë i ditur.
Sipas mediave greke, abuzuesi është hequr si një “hipnotizues” dhe e konsideronte veten si shëruesi i vuajtjeve apo “shpirtrave të sëmurë” madje sipas tij shëronte edhe kancerin.
Mediat greke shkruajnë se i arrestuari është rreth moshës 40 vjeç, ndërsa mësohet se vajza e re vuante nga probleme të shëndetit mendor të formës së lehtë. Abuzuesi mësohet se i kishte thënë vajzë së re që të mos tregonte pasi kjo ishte një procedurë e terapisë për t’u shëruar.
Ndërkohë avokatja Maria Galliou, e cila përfaqëson 22-vjeçaren, mësohet të ketë thënë për mediat se: “Çështja nuk është vetëm kjo, është çështje individuale e familjes së klientit tim. Shteti duhet të sigurojë legjislacionin për të raportuar incidente të tilla që mbeten në errësirë, por edhe për të mbrojtur viktimat e pambrojtura kur ata drejtohen tek policia dhe autoritetet gjyqësore”.



