
Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak pas mesnate në Velipojë, ku pas një përplasje me armë zjarri mbetën të vdekur 4 persona. Meta bën thirrje që Policia e Shtetit dhe e strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale.
Meta thotë më tej se rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.
Përplasja me armë zjarri në Velipojë, me 4 viktima dhe 2 të plagosur, është një tjetër ngjarje tronditëse, që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve. Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale. Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Ajo shkruan se kjo duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit.
Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar përpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm. Dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit. Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës.



