Diaspora shqiptare në Itali është bashkuar në një marshim masiv në qytetin e Milanos, në mbështetje të protestave që po zhvillohen paralelisht në Tiranë. Tubimi, i cili shënon hyrjen në muajin e katërt të qëndresës qytetare, ka bërë bashkë qindra shqiptarë të ardhur nga rajone të ndryshme të shtetit fqinj.
Aktivistja Suela Mehdini, në një prononcim direkt me studion e lajmeve në MCN TV nga marshimi në Milano, konfirmoi pjesëmarrjen e lartë dhe vendosmërinë e diasporës për të mos u ndalur deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Jemi në marshimin në Milano, sapo mbaruam protestën ku diaspora është në mbështetje të protestës në Tiranë. Pjesëmarrja ishte masive dhe kishte shqiptarë nga pothuajse e gjithë Italia, jo vetëm nga Milano. Ne kërkojmë anulimin e ligjeve për zonat e mbrojtura, për paketën e maleve, reformën zgjedhore me lista të hapura, si dhe një rilindje të vërtetë me dinjitet. Po ashtu, kërkojmë që Rama të japë dorëheqjen. Jemi duke hyrë në muajin e katërt të protestave dhe mendoj se diaspora do të rezistojë deri në fund.
Protestat e diasporës vijnë si një urë solidarizimi me tubimet që po mbajnë gjallë frymën e opozitarizmit dhe reagimit qytetar në Tiranë, duke dëshmuar se interesi për fatet e vendit mbetet i lartë edhe tek bashkëkombësit që jetojnë jashtë shtetit.



