Shërbimet sociale në Itali kanë ngritur shqetësimin lidhur me një familje shqiptare, ku fëmijët keqtrajtoheshin. Rasti i denoncuar është aktualisht në proces gjyqësor, ku kanë dalë detajet e para lidhur me atë se çfarë ndodhte brenda mureve të shtëpisë së çiftit shqiptar.
Asistentët socialë kishin vënë re djegie në duart e njërës prej vajzave të familjes, e cila më pas ka rrëfyer se ia kishte bërë babai, ndërsa e ëma nuk kishte ndërhyrë.
Episodi më i rëndë që ka dalë gjatë procesit është rasti i një darke familjare në shtëpinë e vajzave, ku ishin të pranishëm edhe të ftuar. Njëra prej vajzave ishte caktuar të gatuante dhe është qortuar shpesh nga babai se ishte e ngadaltë.
Për ta ndëshkuar për këtë, ai i ka hedhur ujë të valuar në duar, një ndëshkim që nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga nëna e vajzës.
Mediat italiane shkruajnë se kryefamiljari abuzonte shpesh me pijet alkoolike dhe i dhunonte të bijat.
Nuk bëhet i ditur identiteti i familjes shqiptare, por mediat shkruajnë se dëshmia e vajzës së dëmtuar do të ketë një peshë të madhe në proces.



