
Rreth 14 kilogramë lëndë narkotike kokainë është sekuestruar këtë të martë në pikën kufitare Muriqan. Sipas informacioneve të policisë, lënda narkotie është pikasur nga policia kufitare në Muriqan, ndërsa mjeti ku është konstatuar është dërguar në Portin e Durrësit me qëllim skanimin e plotë të tij.
Pas zbulimit të drogës policia ka bërë ndalimin e drejtuesit të automjetit, ndërsa po punon për zbardhjen e plotë mbi vendin e origjinës, destinacionin dhe zbulimin e të tjerë personave të implikuar.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Perëndimi”. Parandalimi nga strukturat hetimore të DVP Shkodër në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare Shkodër.
Sekuestrohen rreth 14.3 kg lëndë narkotike kokainë. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike.
Ditën e sotme, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare të DVKM Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bazuar dhe në analizën e riskut, në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në kuadër të operacionit policor “Perëndimi”, kanë kaluar në vijën e dytë në dalje një automjet tip “Benz” me drejtues shtetasin B. R.
Për një kontroll më të specializuar automjeti është shoqëruar në Portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit të Durrësit, që veprojnë përher në Port.
Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në automjet në pjesën e kroskotit ishin fshehur pako me lëndë të dyshuar si kokainë me peshë rreth 14.3 kilogramë.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi Besnik Ruçi, 42 vjeç, banues në Durrës, (drejtuesi i automjetit). Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.



