
Një 18-vjhecar ka përfunduar në prangat e policisë Shkodër, pasi gjatë një kontrolli fizik i janë gjetur fara të bimës narkotike cannabis sativa.
Në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë, të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, kanë vijuar punën në terren, të mbështetur nga inteligjenca policore, për goditjen e rasteve të prodhimit dhe të shitjes së narkotikëve.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas do të shiste një sasi farash të bimës narkotike cannabis sattiva, është organizuar puna për kapjen e tij.
Në rrugën “13 Dhjetori”, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin V. N., 18 vjeç, banues në fshatin Selcë, Malësi e Madhe, të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur një qese me 156 fara cannabis sativa. Farat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.



