
Një person i cili tentoi të fuste në Shqipëri 30 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare të Kapshticës, është vënë nën hetim.
Në hyrje të Shqipërisë, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, kamioni tip “Volvo”, me drejtues shtetasin G. Gj.
Gjatë kontrolleve, në kasetën e kabinës së kamionit, u gjetën të fshehura 30 000 euro, të cilat shtetasi G. Gj., synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konfrom ligjeve në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumën e eurove.



