
Presidenti Ilir Meta bën thirrje për organizim jo vetëm shtetëror, por edhe mbarëqytetar për përballimin e emergjencës që ka shkaktuar tërmeti i mëngjesit të sotëm. Pasi ka vizituar nga afër Shtabin e Emergjencave në stadiumin e Durrësit dhe familjarët e prekur nga pasojat e tërmetit, Meta shprehet se pasojat e tërmetit në Durrës janë dramatike. Meta u bëri apel të gjithë sipërmarrësve dhe qytetarëve që mund të ndihmojnë sadopak që familjet e prekura nga tërmeti të tejkalojnë këtë moment dramatik.
"Sapo vizitova Shtabin e Emergjencës në stadiumin e Durrësit dhe takova shumë familjarë që s'mund të strehohen më në shtëpitë e tyre! Pasojat e tërmetit në Durrës janë dramatike dhe kërkojnë organizim të jashtëzakonshëm, jo vetëm shtetëror, por mbarëqytetar! Ndaj duke falenderuar institucionet për punën e tyre u apeloj të gjithë sipërmarrësve dhe qytetarëve që mund të ndihmojnë sadopak, të kontribuojnë që mijëra familje të tejkalojnë këtë moment dramatik", shkruan presidenti Meta në Facebook.



