
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar sot në detyrë gjyqtarin në Gjykatën e Durrësit, Paulin Cera.
KPK njofton se “pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 13.1.2023, për subjektin e rivlerësimit, Paulin Cera vendosi konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Paulin Cera”.
Gjyqtari i Gjykatës së Durrësit, Paulin Çera u përball të premten më 13 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku dha shpjegime më së shumti për përdorimin e një apartamenti pa kundërshpërblim për rreth katër vjet e katër muaj, si dhe për dy gjetje të vëzhguesit ndërkombëtar në aspektin profesional.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Pamela Qirko, Roland Ilia relator, Brunilda Bekteshi anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Paulin Çera përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.



