
Policia e Tiranës ka njoftuar se pas tre muajsh hetime mbi kallëzimet e disa qytetarëve, për mashtrim, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Premtimi”.
Si rezultat i hetimeve të kryera gjatë 3 muajve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë, mbi kallëzimet e bëra nga disa shtetas, për mashtrim me kontratat e punës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Premtimi”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi kosovar: H. B., 41 vjeç, banues në Kosovë.
Nga hetimet ka rezultuar se 41-vjeçari premtonte kontrata pune në shtete të ndryshme, kundrejt pagesës që varionte nga 1000 deri në 1500 euro, nëpërmjet mashtrimit.
Gjatë muajit prill 2025, ky shtetas, nëpërmjet kësaj mënyre mashtrimi, iu ka marrë para, tre shtetasve.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit nga ky shtetas dhe për identifikimin e shtetasve me të cilët ai mund të ketë bashkëpunuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



