
Autoritetet britanike kanë arrestuar së fundmi dy shtetas shqiptar, pasi janë kapur në të ashtuquajturat “shtëpi bari”. Mediat britanike shkruajnë se në pranga është vënë 20-vjeçari Dijonis Biba dhe Ervin Delija. Lajmi për arrestimin e Dijonis Bibës është bërë viral në rrjete sociale, pasi, 20-vjeçari ishte mjaft aktiv në Tik-Tok. Në videot që 20-vjeçari ka postuar në rrjetin social shfaq dëshirën që të kishte famë, ndërsa në disa prej tyre, nuk ka nguruar të tregonte edhe faktin se “merrej me drogë”.

(Dijonis Biba)
Arrestimi i të rinjve shqiptarë është bërë pasi, dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që merrej me rritjen e kanabisit. Autoritetet kanë kryer kontrolle në 4 shtëpi të ndryshme në Hillfields këtë vit dhe kanë zbuluar pajisje të sofistikuara për rritjen e drogës dhe sisteme kamerash sigurie. Biba dhe Delija u kapën të fshehur në dy prej banesave dhe janë dënuar me nga 15 muaj burg. Ata pranuan fajësinë për akuzën e prodhimit të kanabisit. Në shtëpinë ku qëndronte Biba u gjetën 165 rrënjë kanabis, ndërsa tek e Delijës, 210 rrënjë.

(Ervin Delija)
Nëse droga që ata po rrisnin do të dilte në treg do të kishte sjellë fitime deri në 300 mijë Paund për bandat. Të dy shqiptarët pasi kanë pranuar krimin kanë thënë që e kanë kryer për shkak të borxheve.
Dijonis Biba është personazh i njohur në rrjetet sociale, ndërsa përveç videove live ku ai tallej me pjesën më të madhe të personazheve publike, i riu i kishte hyrë edhe muzikës.



