
Një 47-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë pasi është kapur në flagrancë duke shpërndarë doza kanabisi, në Lushnjë dhe në fshatrat e Divjakës. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Sektorit Operacional të DVP Fier, pas një hetimi disamujor, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Delivery”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Anil Canka, 47 vjeç, banues në Lushnjë. Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur "Pushimi i shoferit", ndërkohë që po udhëtonte me automjetin e tij, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në qindra doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën edhe qindra doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, 7 aparate celulare dhe automjeti tip "Volksëagen". Nga veprimet hetimore dyshohet se 47-vjeçari e ushtronte aktivitetin e tij kriminal në Lushnjë dhe në fshatrat e Divjakës. Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".



