
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht të shtunën se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim. Greva do të jetë e pezulluar deri në janar të vitit 2023.
Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva po pezullohet dhe se shpresojnë që në janar të vitit 2023 nuk do të ketë nevojë për vazhdim të saj.
Jasharaj ka thënë se pezullimi ka qenë dëshirë e shumicës së grevistëve.
Uroj që Qeveria dhe parlamenti ta mbajë fjalën për Ligjin për Paga. Qeveria dhe opinioni le ta dinë se greva nuk po mbyllet por po pezullohet deri në janar të vitit 2023 bazuar në vullnetin e anëtarësinë.
Rezultatet e deklarimeve janë me diferencë jo shumë të madhe. Uroj që qeveria ta ketë marrë një mesazh të qartë për grevën, uroj që qeveria të mos e merr këtë deklarim tonin për pezullim si fitore, sepse nuk ka fituar askush.
Ai ka thënë se është krijuar bindja se Qeveria Kurti e do grevën që qytetarët e Kosovës të mos i bëjnë pyetje për çështje të tjera.
Kemi bërë veprime të përshkallëzuar sindikale për te realizuar kërkesat e anëtarësisë, Qeveria vazhdoi t’i injorojë ato dhe na mbeti e vetmja mundësi greva e përgjithshme.
Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi dhe greva është më javë. Qeveria në vend të mesazheve optimizimi dha deklarata me fyerje e ofendim sikur ajo dëshironte që t’i nxiste grevistët që greva të vazhdonte sa më gjatë. Ata që na fyen ua lëmë në fytyrën e tyre.
Ndërkaq, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka thënë se greva ka qenë e ligjshme.
Ndryshe një ditë më parë Anëtarësia e SBASHK-ut ka pranuar propozimin për pezullimin e grevës në arsim, duke bërë të ditur se të hënën fillon mësimi.
Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.



