
Një aksion policor është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në fshatrat e Lumit të Vlorës, ku janë arrestuar 6 persona të dyshuar me rrezikshmëri të lartë.
Korrespondentja Arjola Hasanaj raportoi për “MCN Live” se mes të arrestuarve ndodhen 2 persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar. Ata u kapën në flagrancë në ambientet e një lokali.
Sipas policisë, gjatë operacionit u godit një grup i dyshuar kriminal, i përfshirë në veprimtari të paligjshme, kryesisht në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Në pranga u vunë 6 shtetas, ndërsa një prej tyre rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Lecce, Itali, me 6 vite e 8 muaj burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.
Gjithashtu, mes të arrestuarve është edhe një shtetas i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri, të ndodhur më 7 qershor 2026 në Vlorë.
Si rezultat i ndërhyrjes në një lokal në fshatin Vranisht, u arrestuan në flagrancë në një lokal, shtetasit F. Sh., 52 vjeç; N. D., 50 vjeç; M. B., 35 vjeç; dhe A. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.
Në të njëjtin ambient u kapën edhe shtetasit T. A., 55 vjeç, i dyshuar për plagosjen, si dhe D. Ç., 48 vjeç, të dy në kërkim kombëtar.
Ata dyshohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit policia sekuestroi 4 armë zjarri (pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”), municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete, dy prej të cilave me targa të huaja, ndërsa njëri i blinduar.



