Janë riaktivizuar vatrat e zjarrit pranë Parkut Arkeologjik të Bylisit në Mallakastër për shkak të erës së fortë, ndërsa për shkak të terrenit të thyer malor dhe pamundësisë së kalimit të automjeteve zjarrfikëse, operacioni për shuarjen e flakëve po vazhdon nga ajri.
Forca të shumta zjarrfikëse nga Ballshi dhe Fieri janë stacionuar në pika të ndryshme përgjatë parkut, me qëllim ndalimin e përhapjes së flakëve drejt qendrës së tij.
Disa sipërfaqe të parkut janë përfshirë më herët nga flakët, mes tyre Bazilika E dhe Banesa A, ndërsa zjarrfikësit dhe një helikopter po luftojnë me zjarrin në pjesën jugore të parkut arkeologjik.
Raportohet se janë djegur dhjetëra hektarë shkurre dhe qindra rrënjë ulliri, ndërsa operacioni për fikjen e flakëve vijon.
Gazetarja Evi Gjini në një lidhje me studion e MCN Live tha se vatra e parë ka nisur pasi njerëzit ndezin zjarre të vogla për të pastruar zonën nga shkurret dhe ferrat.
Në zonën e Hekalit nisi vatra e parë e zjarrit nga djegia e një sipërfaqeje të vogël për të pastruar zonën. U dogjën shumë hektarë me shkurre, ferra dhe ullishte.
Ekziston mundësia e rindezjes për shkak të temperaturave të larta.



