
Një 29-vjeçar ka shkuar i pajetë në spitalin e qytetit të Bajram Currit. Policia raporton se ai ishte punonjës në një biznes inertesh në fshatin Bujan.
Mësohet se gjatë kohës që ka qenë duke rregulluar një makineri, aksidentalisht ka gjetur vdekjen.
Për këtë arsye, Policia e Tropojës ka vënë në pranga pronarin e biznesit.
“Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan shtetasin Sh. M., 48 vjeç, banues në fshatin Bujan, pronar i një biznesi inertesh në fshatin Bujan.
Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 04.08.2020, ka shkuar në spitalin e qytetit të Bajram Currit, pa shenja jete, një punëtor i këtij biznesi, shtetasi A. K. (M.), 29 vjeç, banues në Bujan, i cili gjatë kohës që ka qenë duke rregulluar një makineri, aksidentalisht ka gjetur vdekjen”.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban Tropojë arrestuan në flagrancë shtetasin M. Q., 22 vjeç, banues në fshatin Tetaj, Tropojë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.



