
Djali i vogël i ish liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari, që mban të njëjtin emër, është arrestuar nga policia e Elbasanit për posedim droge.
Atij i është komunikuar sot masa e arrestit së bashku me mikun e tij, 21-vjeçarin Ergi Gjumsi.
23-vjeçari u shoqërua ditën e djeshme në Komisariat pasi në makinën ku ishte pasagjer u gjetën disa doza kanabis, teksa sot është arrestuar nga policia e Elbasanit.
Specilaistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit: A.H., 23 vjeç, dhe E.Gj., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, gjatë kontrollit të mjetit tip "Audi", me të cilin po qarkullonin shërbimet e Policisë gjetën një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar e llojit cannabis sativa.
Në makinën “Audi 6” e vitit 2013, me të cilin udhëtonin ishte dhe një 19-vjeçare nga Lushnja, ndaj së cilës nuk ka pasur asnjë procedim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, dy aparate celular dhe automjeti. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.



