Gazetari Xhevahir Zhabina duke folur në emisionin “Fact Chek” tha se disa dosje mund t’i kthehen në bumerang SPAK-ut.
Ai vuri në dukje se dosje si inceneratori i Tiranës janë shtrirë në kohë dhe SPAK është përballë pritshmërive të mëdha nga publiku.
Ai ngriti pyetjen edhe sa kohë do t’i duhet prokurorëve të thonë nëse tejkalimi i kompetencave të Këshillit Bashkiak nga Veliaj ishte apo jo në shkelje të ligjit.
“Disa prej dosjeve mund t’i kthehen në një lloj bumerangu SPAK-ut. Bëhet fjalë për dosje që janë të shtira në kohë, po flas për dosjen e inceneratorit të Tiranës që ka nisur në vitin 2020 dhe ne jemi në vitin 2025 dhe ende s’ka një përfundim të hetimit. S’e di sa kohë do t’i duhet akoma prokurorit të çështjes për të na dhënë që ajo shkresa që ka firmosur Veliaj, që ka shmangur këshillin bashkiak, është në kundërshtim të ligjit apo jo. S’e di se sa veprime hetimore duhet të kryejë një prokuror i posaçëm për këtë çështje. SPAK ende pas 5 vitesh nuk mund të na thotë nëse Ministria e Financave në atë kohë i ka pasur paratë për të mbështetur një projekt të tillë, pasi KLSH ka thënë që s’i ka pasur. Pronat e ushtrisë janë një tjetër dosje, ku kallëzimi është i vitit 2021. SPAK-u është përballë pritshmërive të mëdha nga ana e publikut, dhe ndonjëherë çfarëdo të bëj SPAK-u nuk mjafton, sepse publiku kërkon më tepër. Dosje si inceneratori i Tiranës, apo mënyra si kanë kaluar te privatet pronat e Forcës Detare duhet të kenë një përgjigje shumë shpejt, mendoj brenda këtij viti”.



