34 shoferë janë arrestuar në flagrancë nga Policia Rrugore dhe 209 të tjerëve u janë pezulluar patentat, gjatë 72 orëve të fundit. Sakaq, efektivët e Policisë kanë ndëshkuar me gjoba 7101 drejtues mjetesh, të cilët akuzohen për shkelje të Kodit Rrugor që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës dhe për parkime të gabuara.
Si rezultat i kontrolleve gjatë 72 orëve të fundit, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues mjetesh që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
– Janë arrestuar në flagrancë 34 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 19 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
– Janë pezulluar 209 leje drejtimi, nga të cilat 136 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 65 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 8 për qarkullim në drejtim të kundërt.
– Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 7101 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës dhe për parkime të gabuara.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, vendas dhe të huaj, që të zbatojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparatë fotografik.



