Një 29-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pasi akuzohet se tregtonte lëndë narkotike në shtëpinë e tij. Sipas mediave italiane, hetimet zbuluan skemën që Valter Hoxha kishte krijuar për tregtimin e lëndës narkotike dhe i shkuan në banesë për kontroll.
Në momentin kur karabinierët trokitën, 29-vjeçari u vonua për ta hapur atë, gjë që shtoi edhe më shumë dyshimet e tyre. Gjatë kontrollit, policia gjeti fillimisht një zarf me lëndë narkotike të cilën Hoxha deklaroi se e kishte për përdorim personal. Por pas kontrollit me qenin antidrogë, uniformat blu gjetën në çatinë e banesës një qese plastike që mbante rreth 35 gram marijuanë, 21 doza kokainë dhe një shënim me emrat e klientëve dhe lëvizjet në lidhje me shitjen e dozave.



