Prokurori Bajram Breçani rezulton të jetë kërcënuar me jetë gjatë pasdites së djeshme, teksa qëndronte në një lokal përballë shkollës “Harry Fultz”. Sipas burimeve, personi që ka kryer veprime kërcënuese ndaj prokurorit, dyshohet se është gruaja me iniciale M. B., oficere e Policisë dhe gruaja e të ndjerit Arben Bilalit.
Prokurori i kërcënuar ka hetuar vrasjen e bashkëshortit të saj, Arben Bilalit. I dyshuar i kësaj vrasje ka qenë Gjergj Cukali, të cilit Gjykata e Apelit i ka dhënë lirinë me pretendimin se nuk ka prova që e implikojnë atë në vrasje.
Gruaja e viktimës Bilali edhe pse vendimin e ka dhënë Gjykata e Apelit dhe ka liruar Cukalin, e kërcënon për herë të tretë Prokurorin e çështjes. Vetë prokurori mësohet se ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me këtë incident, duke cilësuar edhe personin që kishte bërë kërcënime ndaj tij.
Vrasja e ish-policit Arben Bilali
Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 janar të vitit 2019. Të paktën 14 herë u qëllua mbi Arben Bilalin, me një armë automatike kallashnikov. Për shkak të plagëve të rënda të marra, ai ndërroi jetë në spital, ku u transportua nga persona që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes, policia arriti të gjejë prova të mjaftueshme për të kuptuar dinamikën e atentatit. Përveç gëzhojave të shumta, ajo sekuestroi të gjitha pamjet filmike të bizneseve ku ndodhi ngjarja, e zbulon se atentatorët lëviznin me një automjet tip “Benz Mercedes”, me ngjyrë blu të errët dhe me targa të falsifikuara.



