
Një konflikt i nisur në orët e mbrëmjes në zonën e Kombinatit ka përfunduar me plagosjen e dy personave të përfshirë, fatmirësisht pa pasoja për jetën. Sipas policisë, një 60-vjeçar dhe një 43-vjeçar janë konfrontuar fizikisht dhe kanë përdorur mjete të forta. Situata ka degjeneruar më pas në përdorimin e armës së zjarrit nga 60-vjeçari, duke shkaktuar plagosjen e 43-vjeçarit E. G. Ndërhyrja e policisë e ka shuar konfliktin.
Njoftimi i policisë
Më datë 20.03.2022, në Kombinat, janë konfliktuar shtetasi A. Sh., 60 dhe E. G., 43 vjeç.
Gjatë konfliktit, këta dy shtetas, kanë goditur me sende të forta njëri-tjetrin, dhe dyshohet se shtetasi A. Sh., ka qëlluar me armë zjarri.
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
Si pasojë e goditjeve me sende të forta, janë dëmtuar dy palët e konfliktit dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe dy gëzhoja.
Grup hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.



