Operacioni policor i koduar “Fabrika”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik është finalizuar.
Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit bën me dije se operacioni është realizuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier.
Gjatë tij është vënë në pranga një shtetas, është shpallur në kërkim një shtetas dhe një shtetas tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pas informacioneve të marra, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë kryer hetime të shpejta në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Si rezultat i hetimeve të kryera, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Fabrika”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fabjo Braçaj, 26 vjeç, banues ne Tiranë, u shpall në kërkim shtetasi Fatjon Koçi, 25 vjeç, banues në Sarandë, si dhe është proceduar penalisht shtetasi F. B., 61 vjeç, banues në Fier.
Policia e Shtetit konfirmon se për këta shtetas u dërguan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një strukture për prodhimin e kriptovalutave, të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike.
Këtë duke krijuar përfitime monetare, si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit dhe vjedhjen e energjisë elektrike lidhur me montimit të pajisjeve elektrike, marrjen e energjisë elektrike, por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti për sa i përket të ardhurave.
Sipas policisë, ky aktivitet bie ndesh edhe me ligjin Nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, duke qenë se nuk plotëson asnjë nga kriteret e vendosura në këtë ligj.
Gjithashtu bëhet me dije se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 11 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, pajisje të telefonisë celulare dhe pajisje ndihmëse elektronike.
Ndërkohë që tanimë po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.
Për sa i përket materialeve hetimore, ato u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme.



