
Parku Arkeologjik i Apolonisë, skenë e edicionit të dytë të "Muzak Fest" Parku Arkeologjik i Apolonisë u kthye mbrëmjen e së shtunës në skenën e edicionit të dytë të "Muzak Fest", një mbrëmje që bashkoi artin me historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Poezia, muzika dhe interpretimi artistik u ndërthurën me monumentet e qytetit antik, në një event ku morën pjesë emra të njohur të artit dhe kulturës shqiptare.
Për organizatorët, "Muzak Fest" synon të rikthejë vëmendjen tek rrënjët dhe trashëgimia, duke përcjellë edhe mesazhin për ruajtjen e saj.
Për artisten Rajmonda Bulku, festivali është një festë e kujtesës dhe identitetit.
Ndërsa aktori Dritan Boriçi e sheh këtë aktivitet si një mënyrë për të mbajtur gjallë historinë dhe identitetin e Apolonisë.
Me edicionin e dytë mbyllet cikli i parë i "Muzak Fest" në Apoloni, ndërsa synimi është që festivali të vijojë në monumente dhe hapësira të tjera të Bashkisë Fier.



