Seanca e sotme parlamentare për votimin e Reformës së re Territore ka prodhuar një zhvillim të jashtëzakonshëm politik brenda radhëve të PS.
Deputetja Elisa Spiropali, ka mbajtur një fjalim tejet kritik, duke u distancuar nga qasja e njëanshme e mazhorancës dhe duke goditur mënyrën se si konceptohet dhe ushtrohet pushteti në vend.
Ajo u shpreh hapur se reduktimi i bashkive nga 61 në 46 nuk zgjidh thelbin e problemit nëse njësive vendore nuk u jepet pushtet i vërtetë.
Unë besoj se sot, Reforma Territoriale, nuk është një reformë. Duhet ta themi këtu hapur.
Nuk diskutojmë një reformë territoriale, sepse nuk është pyetja sa bashki kemi, por sa pushtet duhet të ketë një bashki. A duhet të ketë një reformë territoriale pa një decentralizim të vërtetë?
Unë mendoj se duhet të ndryshosh hartën, është e lehtë. Por a mund të ndryshojmë ne së bashku dhe të konceptojmë pushtetin?.
Spiropali kërkoi që kryetarët e bashkive të mos shihen më si shërbëtorë politikë të qendrës, por si përfaqësues të të gjithë qytetarëve.
Më vjen shumë keq kur dëgjoj nga kolegë të mi që flasin pa vend sot për të folur me tone të tilla: 'Ne do i mundnim të gjithë, do i fitojmë të gjitha bashkitë…' Jo mo, jo. Nuk është normale që t’i fitosh të gjitha bashkitë. Ne duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që i ushtrojnë. Kryetarët e bashkive nuk mund të përdoren as si prefektë, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Nuk mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen si vartës.
Spiropali nuk kurseu as sistemin aktual elektoral, duke e cilësuar atë si joproduktiv për shkak të listave të mbyllura dhe kërkoi që deputetët të sillen me përgjegjësi përpara popullit dhe jo si makineri votimi me urdhër të kryetarëve.
Nuk duhet të reformojmë vetëm pushtetin lokal, por dhe sistemin zgjedhor, që nuk prodhon asgjë. Me lista treçerek të mbyllura, çerek të hapura... Qytetari duhet ta dijë për kë voton. Ne s’jemi as kartona, as njerëz pa përgjegjësi. Ju bëni sikur jeni përfaqësues të qytetarëve. Ju thotë kryetari çfarë duhet të bëni dhe ju e bëni. Ne duhet ta meritojmë fitoren. Duhet të kemi guximin të reformojmë partitë tona. Bashkitë tona.



