Rregullorja e GJKKO-së në Kushtetuese/ Rusta: Rreth 100 gjoba ndaj avokatëve, kërkohet pezullimi i ndalimit të telefonave në seanca

Rregullorja e GJKKO-së në Kushtetuese/ Rusta: Rreth 100 gjoba ndaj avokatëve, kërkohet pezullimi i ndalimit të telefonave në seanca

Përplasja mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me rregulloren e re të sigurisë dhe ndalimin e telefonave celularë në seanca, ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

 

Gazetari Arsen Rusta, në një raportim nga SPAK, për MCN Live bëri me dije se pas Shoqatës së Gazetarëve, edhe avokatët kanë depozituar zyrtarisht padinë e dytë kundër kësaj rregulloreje, me argumentin se u pamundëson punën dhe komunikimin me klientët.

 

Është padia e dytë në fakt përsa i përket një rregulloreje sigurie të miratuar nga Këshilli i Gjykatës së Posaçme, ku ka sanksionuar se çdo individ publik, palë, prokuror, gjyqtar apo avokat do të duhet t'i nënshtrohet rregullave të sigurisë, duke mos pasur mjete të komunikimit elektronik teksa zhvillohet seanca gjyqësore. Me argumentin se i pamundëson funksionimin e punës, axhendën dhe komunikimin me klientët, qoftë edhe ata të cilët kanë prokurë përfaqësimi apo ata që ndodhen ende në arrati, avokatët kërkojnë shfuqizimin e kësaj rregulloreje.

 

Më tej, gazetari sqaroi se kjo betejë ligjore vjen pas një bojkoti mbi 50 ditor të seancave gjyqësore, që solli një valë gjobash ndaj mbrojtësve ligjorë. Ai theksoi se asnjë prej gjobave nuk është anuluar deri tani dhe se Dhoma e Avokatisë ka marrë përsipër pagesat e tyre.

 

Janë afro 100 gjoba të vendosura nga Gjykata e Posaçme. Të gjitha ato janë ankimuar nga avokatët individualisht, pasi janë gjoba nominale me emër e mbiemër, pra nuk janë kolektive. Asnjëra prej gjobave të ankimuara deri në këto momente nuk është shfuqizuar, çfarë ka bërë që Dhoma e Avokatisë të marrë përsipër detyrimet financiare të avokatëve të cilët janë gjendur në këto kushte.

 

Sa i përket vijimit të proceseve, Arsen Rusta bëri të ditur se një rikthim te bojkoti përjashtohet ligjërisht pas vendimit të Apelit Administrativ, ndaj avokatët dhe gazetarët kërkojnë nga Kushtetuesja pezullimin e përkohshëm të rregullores deri në shqyrtimin në themel.

 

Përsa i përket bojkotit nuk mund të kemi më, pasi ligjërisht bojkoti dhe vendimi për të vijuar një bojkot është gjetur i paligjshëm nga Apeli Administrativ, duke e pezulluar atë. Ndërsa avokatët dhe gazetarët në padinë e tyre kërkojnë që, deri në shqyrtimin në themel të ligjshmërisë të kësaj rregulloreje, së paku Gjykata Kushtetuese ta pezullojë zbatimin e saj dhe më pas të dëgjojë palët.

 

Gazetari vuri në dukje gjithashtu se rregullorja prek edhe vetë magjistratët, çka pritet të përfshijë në këtë proces kushtetues edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

 

Me interes shihet edhe përfshirja në këtë padi e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë si institucione të cilat do të duhet t'i japin ato mendimet e tyre si palë të interesuara. Vetë prokurorët dhe vetë gjyqtarët do të duhet të zbatojnë këtë rregull, pasi në të kundërt ata ndëshkohen po njësoj siç janë ndëshkuar avokatët. Ndërsa përsa i përket medias, nëse e shkel këtë rregullore, sjell deri në përjashtimin e akreditimit për të ndjekur seancat.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy