Situata në Francë është tensionuar sërish mbrëmjen e sotme, ku pas një dite demonstratash kryesisht paqësore, kanë shpërthyer përleshje të dhunshme në disa qytete kryesore, raporton BBC.
Ministri i Brendshëm francez bëri me dije se forcat e rendit kanë arrestuar pothuajse 1,000 persona në të gjithë vendin, si pasojë e akteve të dhunës dhe përplasjeve me policinë në terren.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 410.000 persona morën pjesë në protestat kombëtare. Prej tyre, 110.000 protestues marshuan në kryeqytetin Paris.
Manifestimi i organizuar nga sindikatat ishte zhvendosur më herët nga autoritetet në periferi të qytetit. Konfederata sindikale CGT, sipas raportimeve të mediave, foli për rreth 800.000 pjesëmarrës.
Pavarësisht ecurisë paqësore gjatë ditës, situata u përshkallëzua me rënien e mbrëmjes në disa pika strategjike.
"Në Porte de Vincennes në Paris, grupe protestuesish filluan të hidhnin sende të forta dhe objekte të ndryshme në drejtim të policisë. Ndërkohë, skena të ngjashme dhune u shënuan edhe në rrethe; në Marsejë u dogjën barrikada në rrugë, ndërsa në Bordeaux disa persona dëmtuan ambientet e një dyqani duke grisur dërrasat mbrojtëse", raportojnë mediat lokale.
Në përgjigje të këtyre akteve, Policia Kombëtare përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në disa qytete të mëdha, përfshirë Lyon-in dhe Nantes-in.
Gazetari i pranishëm në terren në Paris përshkroi atmosferën e rënduar, duke vënë në dukje se kontaminimi nga gazi lotsjellës dhe përplasjet e dhunshme shënuan fundin e kësaj vale të trazirave.
Sidoqoftë, korrespondentët vendas theksojnë se tensionet e sotme nuk arritën nivelin e kaosit të regjistruar javën e kaluar.
Marshimet e kësaj të shtune erdhën pas një fundjave të mëparshme mjaft shkatërruese, e cila u shoqërua me plaçkitje masive dhe ku numri i të arrestuarve arriti në mbi 2,700 persona.



