
Presidenti Bajram Begaj dhe homologu i tij italian Sergio Mattarella, pritën sot në Pallatin Quirinale, kryetarët e të gjitha komunave arbëreshe në Itali, përfaqësues të komuniteteve arbëreshe, të cilët prej më shumë se pesë shekuj mbajnë gjallë një pjesë të pazëvendësueshme të historisë dhe identitetit tonë të përbashkët evropian.
Gjatë fjalës së tij, Begaj vlerësoi lidhjet historike dhe vëllazërore shqiptaro-italiane, duke e cilësuar komunitetin arbëresh si dëshmi të gjallë të kësaj miqësie.
Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie.
Takimi ynë i sotëm është shumë më tepër sesa një ngjarje protokollare; është dëshmi e gjallë e miqësisë së veçantë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, një miqësi që i ka rrënjët e thella historike, por që mbetet po aq e fuqishme dhe frymëzuese në kohë moderne.
Duke vlerësuar mbështetjen e përhershme të Italisë për Shqipërinë, Presidenti e cilësoi një aleate të besueshme, partnere strategjike dhe një nga mbështetëset më të vendosura të aspiratave evropiane të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit vlerësoi modelin e integrimit të arbëreshëve në shoqërinë italiane, duke theksuar se ruajtja e identitetit kombëtar dhe integrimi në shoqërinë pritëse jo vetëm që nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por e pasurojnë dhe e forcojnë atë.
Arbëreshët dhe shqiptarët që jetojnë në Itali, si edhe italianët që jetojnë në Shqipëri, janë pjesë e kësaj afërsie të rrallë njerëzore që ekziston mes dy popujve tanë. Ata janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike, shoqërore, akademike dhe kulturore italiane.
Dy komunitete të ndara nga shekuj historie, por të bashkuara nga aftësia për t’u integruar, për të kontribuuar dhe për të ruajtur lidhjen me origjinën dhe rrënjët e tyre.
Presidenti Begaj deklaroi se integrimi dhe ruajtja e identitetit mund të ecin së bashku në Evropë.
Në një Evropë që përballet me sfida të shumta, përvoja e arbëreshëve dhe e shqiptarëve të sotëm në Itali përcjell një mesazh me shumë vlerë: integrimi dhe ruajtja e identitetit nuk e përjashtojnë njëra- tjetrën.
Përkundrazi, ato mund ta pasurojnë shoqërinë dhe të forcojnë mirëkuptimin mes popujve.
Presidenti Begaj vlerësoi aleancën Shqipëri-Itali, si anëtare në NATO dhe synimin për të qenë bashkë edhe në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se integrimi në BE mbetet objektiv strategjik, me Italinë si një nga mbështetëset kryesore.
Në fund krerët e dy shteteve shkëmbyen dekoratat në nderim të lartë dhe shenjë vlerësimi të ndërsjellë për rolin dhe kontributin e dhënë në këtë vëllazëri, miqësi dhe aleancë strategjike Shqipëri-Itali.



