Laureatja e Çmimit Nobel për Paqen thotë se sanksionet e SHBA-së ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare janë ‘të papranueshme’

Laureatja e Çmimit Nobel për Paqen thotë se sanksionet e SHBA-së ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare janë ‘të papranueshme’

Laureatja e re e Çmimit Nobel për Paqen, Navi Pillay, i ka cilësuar "të padëgjuara" dhe "të papranueshme" sanksionet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), transmeton BBC. 

 

Ish-gjyqtarja e GJPN-së nga Afrika e Jugut u vlerësua me çmimin prestigjioz për përpjekjet e saj në promovimin e paqes dhe të drejtës ndërkombëtare. 

 

Zgjedhja e saj u pasua nga një reagim i ashpër i Uashingtonit. 

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, shprehu pakënaqësinë e tij, ndërsa Shtëpia e Bardhë zbuloi sanksione të reja gjithëpërfshirëse me synimin për të "çmontuar" atë që e përshkroi si një institucion "mashtrues".

 

Pillay, duke folur përmes një lidhjeje video gjatë një aktiviteti në Qendrën Nobel për Paqen në Oslo, shprehu shqetësimin e saj të thellë. 

 

"Ka shumë tension dhe ankth për ekzistencën e vazhdueshme të gjykatave ndërkombëtare, veçanërisht të GJPN-së në Hagë. Më e rëndësishmja, sanksionet janë shpallur nga një shtet kundër gjyqtarëve, vetëm për shkak të urdhrave gjyqësorë që ata lëshojnë. Kjo është e padëgjuar dhe e papranueshme," deklaroi Pillay.

 

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, mbrojti vendimin duke thënë se masat të cilat ndalojnë subjektet amerikane të kryejnë transaksione me gjykatën synojnë "të mbrojnë sovranitetin e SHBA-së" nga përpjekjet për të ndjekur penalisht shtetasit amerikanë. 

 

Ndonëse SHBA ka sanksionuar më parë 17 zyrtarë individualë, ky hap godet vetë gjykatën si institucion për t'i bllokuar funksionimin financiar. Uashingtoni ka lënë një afat gjashtëmujor mospagimi për t'u dhënë kohë shteteve anëtare të negociojnë për shqetësimet e SHBA-së.

 

Administrata Trump është e zemëruar me GJPN-në për shkak të hetimeve të mëparshme mbi veprimet e ushtarëve amerikanë në Afganistan (çështje tashmë e mbyllur) dhe urdhër-arresteve të lëshuara ndaj zyrtarëve izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.

 

Vendimi i Uashingtonit ka ndezur një valë reagimesh ndërkombëtare. 

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quajti atë "një goditje serioze ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare". Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Franca, Italia, Japonia dhe Holanda dolën me një deklaratë të përbashkët ku shprehën keqardhje dhe kundërshtim të fortë ndaj sanksioneve amerikane.

 

Në moshën 85-vjeçare, Pillay është një nga figurat më të rëndësishme të drejtësisë globale. Ajo ka shërbyer si Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe ka drejtuar hetime të profilit të lartë në Ruandë, Mianmar dhe Gaza.

 Puna e saj e hershme nisi me mbrojtjen e aktivistëve kundër aparteidit në Afrikën e Jugut, duke u bërë fituesja e pestë e Çmimit Nobel për Paqen nga ky shtet, pas figurave si Nelson Mandela dhe Kryepeshkopi Desmond Tutu.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy