
Poeti 93-vjeçar Neki Ngucaj, me origjinë nga Kuçi i Vlorës, ka promovuar në Bibliotekën e Lushnjës kolanën e tij prej 18 librash me poezi.
Një krijimtari që lindi vonë në moshë, por që mbart në vargje historinë dhe përvojat e një jete të gjatë.
Neki Ngucaj ka qenë i përndjekur politik gjatë regjimit komunist dhe i internuar në fshatin Velsh të Vlorës. Vitet e persekutimit dhe mungesa e lirisë së shprehjes bënë që dëshira për të shkruar të mbetej për shumë kohë e ndrydhur.
Vetëm pas trazirave të vitit 1997, kur u largua drejt Italisë, ai nisi t’i japë formë kësaj dëshire. Në moshën 64-vjeçare shkroi poezitë e para, tashmë pa censurën që kishte përjetuar gjatë regjimit.
Që prej asaj kohe, poezia është bërë pjesë e pandarë e jetës së tij. Përvojat e persekutimit, kujtimet, malli për vendlindjen, emigrimi dhe njerëzit që ka njohur gjatë jetës janë kthyer në vargje dhe botime, duke arritur në një kolanë prej 18 librash.
Një kapitull i rëndësishëm i jetës së Neki Ngucajt lidhet edhe me Lushnjën.
Ai ka jetuar dhe punuar për 17 vite në këtë qytet, ndaj promovimi i librave në Bibliotekën e Lushnjës ishte një rikthim në një vend të rëndësishëm të jetës së tij.
Në aktivitet ishin të pranishëm familjarë, shkrimtarë, miq, dashamirës të letërsisë dhe përfaqësues të politikës.
Përmes fjalëve dhe kujtimeve të tyre u vlerësua krijimtaria e autorit dhe rrugëtimi i tij jetësor.
Nga një njeri që përjetoi persekutimin dhe internimin, te një autor që në moshën 64-vjeçare gjeti lirinë për të shkruar, historia e Neki Ngucajt është edhe një dëshmi e fuqisë së fjalës për të ruajtur kujtesën dhe përvojën e një brezi.



