
Gati një vit pas denoncimit të parë në emisionin investigativ “Xhadat” në MCN TV, situata për Shqiponja Ruçajn, e cila jeton në rrugën “Mehmet Broci”, në zonën e “Mine Pezës” në Tiranë, vijon të mbetet e pandryshuar.
Dy automjetet që, sipas saj, i bllokojnë hyrjen e banesës, vijojnë të qëndrojnë në të njëjtin vend, ndërsa konflikti me Klement Lulën, personin që pretendon pronësinë mbi truallin, nuk ka marrë zgjidhje.
Gjatë denoncimit të parë, e moshuara tregoi vështirësitë që haste për të hyrë dhe dalë nga banesa, pasi automjetet ishin parkuar pranë shkallëve të hyrjes. Situata ishte aq e vështirë sa ajo kishte vendosur një stol gome për të mundësuar kalimin. Gjatë intervistës me gazetarin, zonja pati probleme me tensionin dhe në banesë mbërriti ambulanca për t'i ofruar shërbimin mjekësor.
Pas rikthimit në terren, gazetari Ersid Karaj konstatoi se problematika vijonte. Ndryshimi i vetëm ishte se Shqiponja Ruçaj kishte ndërtuar një palë shkallë hekuri për të hyrë në banesë, pasi më parë detyrohej të përdorte shkallë bojaxhinjsh. Ajo tha se automjetet vijonin të parkoheshin aty dhe se çështja ndodhej ende në proces gjyqësor.
Gjatë qëndrimit në terren, gazetari u përball edhe me Klement Lulën, i cili akuzoi gazetarin se kishte publikuar vetëm njërën palë dhe se nuk i kishte kërkuar atij një intervistë. Por gazetari i kujtoi se Lula kishte dërguar dy herë mesazhe në adresën elektronike të emisionit dhe se i ishte bërë ftesë publike për të ardhur në televizion e për të dhënë versionin e tij, gjë e cila ka qenë refuzuar prej z.Klement Lula.
Në debat, Klement Lula deklaroi se prona për të cilën ka konflikt ishte shpronësuar në vitin 1986 dhe se në vitin 1996 kishte aplikuar për njohjen dhe kompensimin e saj. Ai pretendoi se shteti i kishte njohur rreth 70 metra katrorë tokë, ku aktualisht parkohen automjetet, si dhe truallin ku është ndërtuar pallati, por se ende nuk ishte kompensuar financiarisht. Lula e konsideron këtë sipërfaqe pronë të tij.
Nga ana tjetër, familjarët e Shqiponja Ruçajt kundërshtojnë pretendimet e tij. Vajza e të moshuarës, Vjollca Ruçaj, thotë se Klement Lula ka pasur një proces gjyqësor me babain e saj që në vitin 1997 dhe se e ka humbur atë. Ajo shton se aktualisht janë në proces gjyqësor pranë Gjykatës Administrative të Apelit dhe se familja disponon dy certifikata të rregullta pronësie për dy hyrje të ndryshme. Vjollca ngre gjithashtu pretendime për shembjen e një shtese të banesës nga IMT, të cilën e konsideron të paligjshme.
Avokati i familjes, Eduart Mullaraj, thotë se për këtë konflikt janë bërë disa kallëzime në polici dhe prokurori, por sipas tij nuk ka pasur veprime konkrete për largimin e automjeteve që bllokojnë hyrjen e banesës. Ai pretendon se prokuroria ka refuzuar tri herë nisjen e hetimeve dhe se këto vendime janë ankimuar. Avokati shprehet se çështjen do ta ndjekë deri në Gjykatën e Lartë, me synimin për të kërkuar zgjidhje ligjore.
Rasti ishte denoncuar edhe më parë përpara Policisë Bashkiake. Gjatë verifikimit të parë në terren, efektivët qëndruan për më shumë se tri orë, por automjetet nuk u larguan. Në fund, sipas materialit të asaj kohe, policia i kërkoi pronarit të paraqiste dokumentet e pronësisë, duke deklaruar se do të vepronte për largimin e mjeteve nëse ai nuk i paraqiste ato.
Pas gati një viti, dy automjetet vijojnë të jenë në hyrje të banesës, ndërsa palët vazhdojnë të kundërshtojnë njëra-tjetrën për pronësinë e truallit.
