Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka shqyrtuar projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, një nismë që synon të rrisë mbështetjen financiare për sportin, artin dhe kulturën përmes lehtësirave tatimore për bizneset.
Gjatë diskutimeve në komision, deputetët nismëtarë të ligjit, Taulant Balla dhe Erion Braçe, si dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, parashtruan argumentet kryesore dhe debatin mbi tavanin vjetor të fondeve që do të përfitojnë këta sektorë.
Deputeti Taulant Balla theksoi se sporti shqiptar nuk mund të mbështetet vetëm te buxheti i shtetit dhe se varianti i vjetër ligjor, me kufirin prej 20 milionë lekësh të vjetra, ishte krejtësisht i pamjaftueshëm.
Sipas skemës së re, bizneset do të kenë mundësi të zbresin deri në 30% të tatimit mbi fitimin të vitit paraardhës për të sponsorizuar sportin, artin dhe kulturën.
Lajmi i mirë është që më në fund ne arrijmë të krijojmë një skemë financimi.
Viti i parë i aplikimit do të jetë viti 2027, efektet financiare do të reflektohen në vitin 2028, sepse tatimfitimi raportohet në vitin pasardhës.
Mirë do të ishte që tavani, të paktën nëse nuk e heqim fare, të shkonte nga 2 miliardë në 3 miliardë lekë, si fillim për vitin e parë. Megjithatë, është një çështje që do ta shohim deri në seancë plenare.
Vlerësoi gjithashtu përmirësimet e bëra nga qeveria në projektligj, sa i përket dokumentimit të kontratave, raportimit mbi përdorimin e fondeve dhe verifikimit të sponsorizimeve, me qëllim parandalimin e abuzimeve fiskale.
Mendoj që kjo është një nismë që duhet t’i tejkalojë krahët politikë. Të mos harrojmë që në fund të fundit këto janë para nga buxheti i shtetit. Pra, qeveria ka vendosur që disa para që do t’i arkëtonte nga tatimfitimi t’ia kalojë sportit, artit dhe kulturës
Nga ana tjetër, deputeti Erion Braçe u ndal te aspekti ekonomik dhe financiar, duke argumentuar se sporti në Shqipëri, përfshirë edhe futbollin si disiplina më e ndjekur, nuk funksionon ende si një ekonomi formale.
Sporti ka një hall akoma më të madh, sporti sot që flasim nuk është ekonomi.
Ne i marrim tatim mbi të ardhurat edhe një sanitari, por sportistëve nuk u marrim asgjë; infrastrukturën e kemi bërë pa taksa duke e favorizuar sportin, por përsëri nuk kemi bërë ekonomi.
Prandaj duam t’i japim sportit një instrument që synon ta kthejë në ekonomi.
Ligji i ri synon të vendosë rregull dhe transparencë në qarkullimin e parave në këtë sektor.
Nisma synon formalizmin e këtij sektori. Tani duam që atë që shpenzojnë ta kenë në të bardhë, jo në të zezë, ta kenë formale. Sporti ka një xhiro marramendëse dhe nuk mund të rrijë jashtë kësaj pjese.
Ministrja Adea Pirdeni prezantoi garancitë ligjore për transparencën dhe kontrollin e fondeve, duke bërë të ditur se projektligji zëvendëson ligjin e vjetër të vitit 1994 dhe është dakordësuar nen për nen me Komisionin Evropian.
Ndër risitë kryesore të mekanizmit të kontrollit që parashikon projektligji janë regjistri i unifikuar elektronik: Do të krijohet një sistem digjital ku do të regjistrohen dhe monitorohen të gjitha donacionet dhe sponsorizimet, për të garantuar gjurmueshmëri të plotë.
Ndalimi i anonimatit dhe pagesat bankare, për të përfituar nga lehtësirat fiskale dhe për të shmangur abuzimet, ndalohen kontributet anonime dhe çdo sponsorizim apo donacion financiar detyrohet të kryhet vetëm përmes sistemit bankar.
Rregulla të qarta për institucionet-Vendosen standarde të unifikuara mbi mënyrën se si autoritetet publike pranojnë dhe administrojnë këto fonde, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.
