Autoritetet e Kosta Rikës i kanë ndaluar hyrjen në vend raportueses speciale të OKB-së për territoret palestineze, Francesca Albanese, duke shkaktuar reagime të forta diplomatike.
Shtetasja italiane, e njohur për kritikat e saj të ashpra ndaj Izraelit, kishte udhëtuar drejt San José-s për të marrë një doktoraturë nderi nga Universiteti i Kosta Rikës, por u bllokua në aeroport dhe u detyrua të flinte në karriget e terminalit përpara se të transferohej në një hotel dhe të nisej drejt Meksikës.
Zyra e migracionit e Kosta Rikës deklaroi se vendimi u mor pas një "alarmi" për lidhje të dyshuara me terrorizmin, ndërsa OKB-ja konfirmoi se ndalimi u bë me argumentin e "sigurisë kombëtare".
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, u shpreh "thellësisht i shqetësuar", duke theksuar se ky veprim bie ndesh me traditën e Kosta Rikës në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Vetë Albanese kërkoi hetim nëse ky vendim lidhet me sanksionet që SHBA-ja i vendosi në verën e vitit 2025 duke i revokuar vizën dhe bllokuar llogaritë bankare. Qeveria aktuale e Kosta Rikës, e drejtuar nga presidentja e djathtë Laura Fernández, mban marrëdhënie të ngushta si me administratën Trump, ashtu edhe me Izraelin.
I dërguari izraelit në OKB, Danny Danon, e përshëndeti bllokimin e saj, duke e akuzuar zyrtaren e OKB-së për përhapjen e propagandës kundër Izraelit.
Pavarësisht bllokimit fizik në aeroport, Francesca Albanese e mori titullin e doktoraturës së nderit duke mbajtur fjalimin e saj në distancë, ndërsa diplomacia italiane po ndërhyn për të garantuar hyrjen e saj të qetë në Meksikë.
