Presidenti i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, në një intervistë për MCN, kritikoi politikat e qeverisë për mbështetjen e fermerëve, duke theksuar se mungesa e subvencioneve e bën prodhimin vendas jokonkurrues.
Ai paralajmëroi se mbështetja për prodhimin e drithërave është çështje e sigurisë ushqimore dhe interesit strategjik kombëtar, ndërsa kundërshtoi justifikimin se BE-ja nuk lejon subvencionet për fermerët.
“Arsyet janë përgjithësisht politikat mbështetëse ndaj fermerëve të cilat e bëjnë fermerin shqiptar jo-konkurrues me të huajt. Shqipëria është një vend jo shumë i shquar për prodhimin e drithërave. Duhet të kishte politika mbështetëse edhe përtej normales, për arsyen se drithërat janë një element i rëndësishëm për shoqërinë.
Në 2020 qeveria jonë i shtriu qafën vendeve jomiqësore për tu lutur për grurë, drithëra.
Siç e shihni gruri është një element i rëndësishëm, ku vende shumë të mëdha e përdorin për të zgjidhur dhe probleme gjeostrategjike. Në këto kushte nuk mund të ecim me mendje të mykura të cilët nxjerrin si slogane boshe që nuk mund të subvencionojmë e s’na lë BE. Problemi është edhe më i madh nëse nuk duam të nxjerrim para për fermerët se duam të bëjmë rruge e tunele.”
