
Konflikti politik për dy nga nismat më të rëndësishme në vend, Reformën Zgjedhore dhe fazën e dytë të Reformës Administrative-Territoriale, ka arritur kulmin pas braktisjes së Komisionit nga opozita.
Për edicionin e lajmeve në MCN tv, deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, deklaroi se PS ka përdorur praktika të pakëshillueshme dhe të paprecedenta për të bllokuar qëllimisht procesin, duke çuar në dështimin e mbledhjes së fundit.
Sipas Strazimirit, futja e njëanshme e çështjeve jashtë axhendës së OSBE/ODIHR-it në rendin e ditës nga Damian Gjiknuri ishte një "kërkesë e pastër për të prishur tavolinën" dhe për të asgjësuar dialogun politik.
Opozita ishte paraqitur me seriozitet maksimal politik dhe teknik, duke u bazuar në ekspertizën më të mirë për të adresuar gjetjet e fundit të ndërkombëtarëve.
Partia Demokratike ka dhënë përgjigje të gjitha shqetësimeve të OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimeve që janë mbartur e përsëritur në raportin më të fundit të zgjedhjeve të vitit 2025.
Vlerësoi këtu rolin e bashkëkryetarit Oerd Bylykbashi si njohësin më të mirë të ligjeve zgjedhore në vend, i cili bashkoi kompetencën teknike me seriozitetin e duhur politik në tryezë.
Sipas tij, cenimi i të drejtës së vetos nga mazhoranca bëri që vetë socialistët të bojkotonin procesin.
Qeveria ka vendosur të bojkotojë këto prioritete.
Nga momenti që kemi rënë dakord që opozita ka të drejtën e vetos, askush nuk mund të bëjë veprime me kokën e vet.
Kush fut në rend dite gjëra të pakonsultuara, kërkon të prishë dialogun.
Për Strazimirin, kushti i prerë i opozitës është ndarja e shtetit nga partia në pushtet.
PD këmbëngul se nuk do të bëjë asnjë hap pas pa u diskutuar të gjitha kërkesat teknike dhe politike të OSBE/ODIHR-it.
Shtylla kryesore e aksionit tonë mbetet ndarja e plotë e strukturave të shtetit nga makineria e partisë në pushtet, për të shmangur vjedhjen apo deformimin e votës së qytetarëve.



