Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Policia e Shtetit janë bërë pjesë e një megaprocedimi ndërkombëtar që ka goditur një rrjet të shtrirë kriminal, i cili akuzohet se mashtronte qytetarët në mbarë botën përmes platformave të rreme të investimeve online.
Operacioni i gjerë është mbështetur nga Europol dhe Eurojust dhe është shtrirë në disa vende të Europës. Ky aksion shënon fazën e fundit të një hetimi të gjatë ndërkombëtar, pas arrestimeve dhe kontrolleve të ngjashme të kryera më parë në vitet 2022 dhe 2025.
Nga ndërhyrja e koordinuar në disa shtete europiane, autoritetet kanë siguruar rezultate konkrete: 7 persona janë vënë në pranga, mbi 100 serverë kompjuterikë janë sekuestruar, 17 ambiente janë kontrolluar imtësisht, mbi 4 milionë euro llogaritet të jetë dëmi financiar i dyshuar i shkaktuar ndaj qytetarëve.
Hetimet intensive kanë zbuluar ekzistencën e një kompanie me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se furnizonte grupet kriminale me platforma dhe faqe interneti të krijuara posaçërisht për mashtrim. Rrjeti i shtrirjes ishte mjaft i gjerë, teksa klientë të dyshuar të kësaj kompanie janë identifikuar edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mekanizmi i mashtrimit funksiononte duke u premtuar viktimave fitime të majme përmes investimeve fiktive në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Fillimisht, qytetarët joshiheshin me shfaqjen e fitimeve false nëpër ekrane, ndërsa më pas mbi ta ushtrohej një presion i fortë psikologjik për t'i bindur që të investonin shuma gjithnjë e më të mëdha parash.
Për shkak të shtrirjes gjeografike të këtij aktiviteti kriminal, SPAK është bërë pjesë aktive e dy ekipeve të përbashkëta hetimore pranë Eurojust. Ekipi i parë po bashkëpunon ngushtë me autoritetet e Gjermanisë dhe Polonisë, ndërsa ekipi i dytë hetimor është ngritur së bashku me autoritetet e Kosovës.



