Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale dhe humbje jete. Mes objekteve të dëmtuara ishte edhe pallati nr. 27 në lagjen Sanxhak të Kurbinit, i klasifikuar DS4 dhe i përfshirë në procesin e rikonstruksionit dhe përforcimit.
Gjashtë vite pas tërmetit, banorët pretendojnë se punimet nuk kanë përfunduar plotësisht. Edhe pse fasada është suvatuar dhe çatia është vendosur, brenda apartamenteve vijojnë të evidentohen çarje dhe dëmtime.
Banorët shprehen se u janë drejtuar disa herë institucioneve, por nuk kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre. Më 7 shkurt 2025, banorët i janë drejtuar sërish Bashkisë Kurbin, duke kërkuar ndërhyrje për përfundimin e punimeve.
Në përgjigjet zyrtare, Bashkia Kurbin deklaron se pallati i është nënshtruar ndërhyrjeve për përforcimin e themeleve, trajtimin e fasadave, çatisë, kafazit të shkallëve dhe elementeve të tjera konstruktive.
Sipas institucionit, objekti konsiderohet i qëndrueshëm dhe i banueshëm nga pikëpamja strukturore. Megjithatë, bashkia për Xhadat sqaron se kuadri ligjor dhe preventivi i punimeve nuk parashikojnë grante rindërtimi për riparimet e brendshme të apartamenteve në objektet e klasifikuara DS4.



