Marka e njohur amerikane e këpucëve, Converse, është detyruar të fshijë me shpejtësi një nga fotot e fushatës së saj të fundit ndërkombëtare, pas një vale të madhe kritikash në mediat sociale.
Përdoruesit e rrjetit akuzuan kompaninë se vizualet e përdorura ngjallnin imazhe të frikshme të organizatës supremaciste Ku Klux Klan (KKK). Imazhi, i cili promovonte atletet Chuck 70 X dhe kishte si protagoniste yllin e muzikës K-pop, Karina (nga grupi Aespa), u vu në shënjestër për shkak të ndriçimit dhe hijeve specifike.
Kritikët vunë në dukje se një hije trekëndëshe mbi fundin e bardhë të modeles ngjante me kapuçin me majë të KKK-së, ndërsa atletet e varura në sfond u krahasuan me imazhet historike të linçimeve racore.
Përmes një deklarate zyrtare, Converse e cila është në pronësi të gjigantit Nike që nga viti 2003 kërkoi ndjesë publike dhe pranoi dështimin.
"Kjo nuk duhej të kishte ndodhur dhe ne do të bëjmë më mirë. E kuptojmë pse ky imazh është thellësisht shqetësues dhe e pranojmë se e kemi bërë gabim", thuhej në reagimin e kompanisë, e cila po punon për zhdukjen e plotë të fotografisë nga çdo kanal online.



