Irani nuk dëshiron të nisë negociata me Shtetet e Bashkuara në këtë fazë, pavarësisht rrezikut të rifillimit të konfliktit. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për televizionin Al Jazeera.
Ai theksoi se Teherani nuk sheh aktualisht nevojën për një takim me përfaqësuesit amerikanë, ndërsa shtoi se kushtet e Iranit janë të qarta dhe se komunikimet po vijojnë përmes ndërmjetësve.
“Në rrethanat aktuale, Irani nuk sheh nevojën për një takim me amerikanët. Kushtet tona janë të qarta dhe po zhvillohen konsultime me ndërmjetësit për këtë çështje”, deklaroi Araghchi.
Kryediplomati iranian bëri të ditur gjithashtu se letra e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, është diskutuar në takime të nivelit të lartë në Teheran, por mohoi se ekzistojnë plane për bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin.



