Sekretariati i Etikës është mbledhur sot online dhe, bazuar në kërkesën e Partisë Socialiste, ka vendosur përjashtimin e kryedemokratit Sali Berisha me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
Ndëshkimi ndaj tij erdhi me argumentin e përdorimit të fjalorit joparlamentar dhe gjuhës që nxit urrejtje e dhunë.
Po ashtu, Sekretariati ka vendosur përjashtimin me nga 60 ditë për 5 deputetë të tjerë të opozitës: Bledion Nallbati, Blendi Himçi, Xhelal Mziu, Albana Vokshi dhe Ivi Kaso, të cilët akuzohen për ndezje flakadanësh, bllokim të foltores dhe hedhje sendesh në seancë.
Ndërkohë, deputetja Klodiana Çapja është "falur" nga komisioni, kurse 8 deputetë të tjerë të PD-së, përfshirë Gazment Bardhin e Flamur Nokën mbeten ende të përjashtuar nga seanca e kaluar.



