
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme një sërë projektligjesh dhe vendimesh të rëndësishme,.
Gjatë mbledhjes u miratuan ndryshimet ligjore për sigurinë kibernetike, ndihmën shtetërore, si dhe mendimet e qeverisë drejtuar Kuvendit lidhur me nismat joqeveritare për ndarjen administrativo-territoriale dhe zonat e mbrojtura.
Projektligjet e miratuara:
Për eficiencën energjetike- ky projektligj synon të përcaktojë një kuadër të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e eficiencës energjetike në Republikën e Shqipërisë.
Për sigurinë kibernetike- miratimi i disa ndryshimeve dhe shtesave në ligjin nr. 25/2024, “Për sigurinë kibernetike”.
Në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe ndryshime në vendimin që përcakton përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe detyrat e kryenegociatorit.
Një tjetër vendim lidhet me përbërjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithashtu dhënien e mendimit Kuvendit për projektligjin jopërfaqësues të qeverisë, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Po ashtu, qeveria ka vendosur të përcjellë mendimin e saj në Kuvend për dy projektligjet jopërfaqësuese që kërkojnë shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017, ‘Për zonat e mbrojtura’”.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe lirimi nga detyra i Endrit Hoxhës, i cili mbante postin e zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
