Një shpërthim i fuqishëm u shënua të dielën pranë aeroportit të Erbilit në Kurdistan, në Irakun verior, ku janë vendosur trupa nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të kundër xhihadistëve.
Shkaku i shpërthimit nuk dihet ende. Por sipas mediave kurde, Shtetet e Bashkuara shkatërruan municione në zonë, ndërsa forcat anti-xhihadiste janë në proces tërheqjeje nga rajoni autonom i Kurdistanit irakian.
Ata ishin tërhequr tashmë nga bazat e tjera në Irak në janar dhe tani janë të vendosur vetëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Erbilit.
Misioni i tyre është planifikuar të përfundojë më 30 shtator, në përputhje me një marrëveshje të arritur në vitin 2024 midis Bagdadit dhe Uashingtonit. Forcat e koalicionit u tërhoqën gjithashtu nga Siria fqinje në fillim të këtij viti.
Ata u vendosën në Irak dhe Siri në vitin 2014 për të luftuar Shtetin Islamik (ISIS), i cili kishte pushtuar sipërfaqe të mëdha territori në të dy vendet ku kreu masakra dhe mizori të tjera. Grupi u mund në Irak në vitin 2017 dhe në Siri në vitin 2019.
Prania e trupave anti-xhihadiste, veçanërisht që nga disfata e ISIS, është një burim tensioni midis Bagdadit dhe grupeve të armatosura irakiane të mbështetura nga Irani.



