Qyteti i njohur alpin i Chamonix planifikon të bëhet i pari në Alpe që vendos kuota ditore për turistët, në një përpjekje për të frenuar mbiturizmin dhe për të mbrojtur mjedisin në rezervatin natyror Aiguilles Rouges.
Sipas planit të njoftuar nga kryetari i bashkisë, Francois-Xavier Laffin, duke filluar nga qershori i ardhshëm, vizitorët që duan të shkojnë pranë liqeneve të famshme Lac Blanc dhe Lacs des Chéserys do të duhet të rezervojnë paraprakisht për të marrë një kod QR.
Hyrja do të mbetet falas, por numri i shëtitësve do të kufizohet nga 600 në 1,000 persona në ditë gjatë muajve të verës (qershor–shtator), nga deri në 4,000 që shkojnë aktualisht.
Autoritetet thonë se dyfishimi i vizitorëve që nga viti 2020 ka sjellë mbeturina dhe ka shqetësuar jetën e egër, ndërsa 55% e turistëve janë shprehur të zhgënjyer nga turmat.
Në pikat e hyrjes do të vendosen "roje ekologjike" për të kontrolluar rezervimet dhe për të gjobitur shkelësit.
Plani trevjeçar, me kosto rreth 590,000 euro, pret ende miratimin përfundimtar të prefektit lokal dhe dakordësinë e 35 familjeve që zotërojnë ligjërisht tokën rreth Lac Blanc, disa prej të cilave preferojnë vendosjen e një tarife hyrjeje.
