Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Michigan të SHBA-ve, ku u ndal te transformimi shoqëror i Shqipërisë dhe vëmendja ndërkombëtare që morën protestat masive në Tiranë.
Rama e vlerësoi manifestimin qytetar të verës si një shenjë të rritjes së ndërgjegjësimit, duke përdorur me nota simbolike metaforën e flamengos që "pushtoi bulevardin, ekranet dhe mori vëmendje në katër anët e globit".
Kreu i qeverisë nënvizoi se reagimi ndaj kauzave të tillë tregon një ndryshim të madh rrënjësor, duke deklaruar se "deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri dhe askush nuk pipëtinte".
Ky ndryshim, sipas Ramës, dëshmon se shoqëria shqiptare tashmë ka hyrë në një fazë të re dhe "kërkon më shumë nga shteti dhe nga vetvetja".
Këtë verë, flamingo u bë figura më popullore e Shqipërisë, doli nga laguna erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin dhe mori vëmendje në të katër anët e globit. Përtej këtij të fundit që e globalizoi flamengon e Zvërnecit pati diçka domethënëse në manifestimin qytetar të protestës së qershorit që jo vetëm tërhoqi vëmendje por edhe mbështetjen e shumë kujt.
Deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri si askush në botë dhe askush nuk pipëtinte. Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe askush nuk e shihte. Jeta në Shqipëri zhvillohej me idenë se ka dhe më keq.
Sot kur shumë gjëra kanë ndryshuar, shqiptarët po jetojnë me idenë se ka dhe më mirë. Këtë qasje të re të shoqërisë e vulosi ai manifestim. Një shoqëri që kërkon më shumë është një shoqëri që është ngritur që e ka parë dhe horizontin dhe nuk pranon ta ulë shikimin.



