Të dënuar për vrasje, drogë dhe vjedhje, arrestohen 3 persona të shpallur në kërkim në Vlorë

Të dënuar për vrasje, drogë dhe vjedhje, arrestohen 3 persona të shpallur në kërkim në Vlorë

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka finalizuar me sukses tre operacione policore të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit. Si rezultat i këtyre aksioneve, janë lokalizuar dhe vënë në pranga tre shtetas të shpallur në kërkim për krime të rënda, drogë dhe vjedhje.

 

Operacioni i parë u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale dhe Forcat "Shqiponja". Policia arriti të lokalizonte në lagjen “Pavarësia 3” dhe të arrestonte shtetasin Maringlen Doga, 47 vjeç, banues në Vlorë.

 

Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane, duke e dënuar 47-vjeçarin me 20 vjet burgim për veprën penale “Vrasja me dashje”. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2000, në Ravena të Italisë, ku Doga, pas një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë një shtetas tjetër shqiptar.

 

Në operacionin e dytë, Komisariati i Policisë Vlorë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit Y. D., 49 vjeç, banues në fshatin Bishan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij më datë 31 tetor 2026, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan rreth 12 kg lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa si dhe 6 bimë kanabisi.

 

Operacioni i tretë i koduar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Vlorës çoi në prangosjen e shtetasit A. K., 50 vjeç, banues në Vlorë. 50-vjeçari akuzohet si autor i dyshuar i 5 vjedhjeve të ndryshme të kryera përgjatë muajve tetor dhe nëntor të vitit 2026. Sipas policisë, ai u vidhte qytetarëve dhe subjekteve tregtare shuma parash, portofola, laptopë dhe celularë.

 

Materialet procedurale për të treja rastet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme ligjore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy