Aktivistja e njohur suedeze për klimën dhe mjedisin, Greta Thunberg, ndodhet sot në Tiranë, ku i është bashkuar protestës së aktivistëve mjedisorë për të shprehur mbështetjen e saj ndaj nismës “Revolucioni i Flamingove”, si lëvizje që synon mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe pasurive mjedisore të Shqipërisë.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Thunberg ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë në mbështetje të kauzës së aktivistëve shqiptarë.
Ndodhemi aktualisht në Tiranë, në ditën e 173-të të protestës së pandërprerë të Revolucionit Flamingo.
Populli shqiptar ka treguar se çfarë do të thotë t'i rezistosh shkatërrimit të natyrës, shitjes së vendit tënd te fuqitë imperialiste dhe të ngrihesh kundër dhunës shtetërore dhe korrupsionit.
Dhe vetëm pse kanë ushtruar të drejtën dhe lirinë e tyre për të protestuar, protestuesit janë përballur me dhunë dhe represion të paprecedentë nga policia dhe shteti. Bota qëndron në solidaritet me Revolucionin Flamingo dhe po ndjek atë që po ndodh.
Prania dhe përfshirja e një figure të njohur ndërkombëtare si Greta Thunberg i jep një jehonë të shtuar publike thirrjeve për ruajtjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke e çuar zërin e aktivistëve vendas edhe përtej kufijve të vendit.
Edhe më herët, aktivistja ka reaguar dhe ka marrë pjesë në nisma simbolike në det pranë Sazanit për të mbrojtur ekosistemet bregdetare shqiptare.
